

Tiranë, 20 Tetor 2025 – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar për çështjen penale që përfshin ish-drejtoreshën e Kadastrës Rajmonda Dashi, si dhe shtetasit Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi, të akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale.
Në total, të katër të pandehurit janë dënuar me 22 vite burgim, ndërsa përfitimi i gjykimit të shkurtuar ka sjellë uljen e dënimeve me 1/3. Më poshtë janë detajet e vendimeve:
Rajmonda Dashi, e shpallur fajtore për pastrim parash, u dënua fillimisht me 7 vite burg. Pas uljes me 1/3, ajo u dënua përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim. Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për 3 vite, duke i shmangur qëndrimin në burg.
Besjan Ramaj u dënua me 10 vite burg për pastrim parash, por do të vuaj 6 vite e 8 muaj pas uljes së dënimit. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Leonard Ramaj u dënua me 7 vite e 6 muaj burg për të njëjtën vepër penale dhe pas përfitimit të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 5 vite burg. Edhe ai u shpall i pafajshëm për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Ardjan Malasi u dënua fillimisht me 9 vite burg për pastrim parash. Pas zbritjes së një të tretës së dënimit, ai do të vuajë 6 vite burg.
Vendimi i Gjykatës
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj shpalli vendimin Nr. 65, datë 17.10.2025, ku të katër të pandehurit u shpallën fajtorë për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale, kryer në bashkëpunim, sipas nenit 287 të Kodit Penal. Akuzat për krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal u rrëzuan për të gjithë.
Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e disa provave materiale të sekuestruara gjatë hetimeve, përfshirë pajisje elektronike, dokumente dhe shuma parash në euro dhe lekë. Disa materiale të tjera iu kthyen pronarëve përkatës.
Kushtet e provës për Rajmonda Dashin
Ish-drejtoresha e Kadastrës, Rajmonda Dashi, gjatë periudhës trevjeçare të provës, duhet të qëndrojë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale. Në të njëjtën kohë, ndaj saj u hoqën masat e sigurisë “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimi për të dalë jashtë shtetit”.
E drejta e ankimimit
Ky vendim është i ankimueshëm në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit të arsyetuar.
Njoftimi i Vendimit të GJKKO:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 18, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 65, datë 17.10.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 10 vite burgim.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal.
3. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besjan Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.
4. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 7 vite e 6 muaj burgim.
6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.
7. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonard Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite burgim.
8. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
9. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 9 vite burgim.
10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.
11. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ardjan Malasi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite burgim.
12. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i arrestimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
13. Deklarimin fajtor të të pandehurës Rajmonda Dashi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e saj me 7 vite burgim.
14. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Rajmonda Dashi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim.
15. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurën Rajmonda Dashi, për një periudhë kohe prej 3 vitesh me kusht që gjatë kësaj kohe, të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
16. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet heqja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 234 dhe 233 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurës Rajmonda Dashi me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
17. Në bazë të nenit 190, pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale provat materiale si: aparat telefonik celular i markës “Nokia”, model “3310 TA-1006”, me kartë sim të kompanisë “Vodafone” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; Aparat telefonik celular i markës “iPhone X”, me kartë sim të kompanisë “One” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; Aparat telefonik celular i markës “iPhone 13”, sekuestruar shtetases Rajmonda Dashi; Njësi kompjuterike sekuestruar në zyrën e shoqërisë “Ledio 04” me numër serial **** dhe shuma e parave prej 2095 euro dhe 239500 lekësh sekuestruar në automjetin e të pandehurit Ardjan Malasi.
18. Qëndrimin në fashikull të provave materiale: DVD me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 49 datë 28.03.2024; USB e markës “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 55 datë 03.04.2024; Hard disk i jashtëm markës “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 184; Fotokopje e regjistrit noterial me mbishkrimin në kapakun me ngjyrë vishnje, noter L.M. Në faqen e parë të regjistrit noterial fillon me aktin noterial nr. **** rep. Nr. ****kol. datë 13.06.2023 dhe veprimi i fundit noterial është me nr. **** rep. datë 05.10.2023, gjithsej 78 fletë, sekuestruar shtetasit L.M, me procesverbalin e datës 09.11.2023; Dokumentave të sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri 1 deri në numrin rendor 31 sekuestruar në banesën e të pandehurit Ardjan Malasi; Dokumentave të sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri 2 deri në numrin rendor 7 sekuestruar në banesën e të pandehurës Rajmonda Dashi.
19. Në bazë të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të K.Pr.Penale kthimin e provave materiale të pandehurve: Njësi qëndrore e markës “Dell”, me Service tag ****, Express Service Code ****, sekuestruar shtetasit L.M me proceverbalin e datës 09.11.2023. nëntë 9 (nëntë) regjistra noterial sekuestruar shtetasit L.M, me proceverbalin e datës 09.11.2023, shtetasit L.M. Një çantë krahu lëkure me rrip, me ngjyrë blu e errët, me mbishkrimin “ARMANI JEANS”, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi. Pasaportë shqiptare e shtetases Rajmonda Dashi me nr. ****.
20. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
21. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





