

Ushtarët e Izraelit janë sulmuar dhe ndaj tyre është qëlluar. Izraeli bën përgjegjëse organizatën terroriste Hamas, ndërsa kjo e fundit hedh poshtë çdolloj përgjegjësie. A po dështon armëpushimi?
GAZA- Armëpushimi i arritur me mundim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit islamist po lëkundet rrezikshëm. Izraeli njoftoi sulme ndaj trupave të veta në jug të Rripit të Gazës, pas kësaj aviacioni izraelit bombardoi rreth 20 objektiva në Rripin e Gazës, sipas të dhënave të televizionit N12. Në Deir al-Balah në brezin qendror të Rripit bregdetar u vranë katër palestinezë dhe pesë të tjerë u plagosën, mësohet nga qarqet mjekësore.
Udhëzohen sulme të reja
Një ushtarak izraelit i nivelit të lartë më parë e pati akuzuar organizatën terroriste islamiste Hamas për shkelje të rënda të marrëveshjes së armëpushimit në luftën e Gazës. Ushtria njoftoi, se ushtarët janë sulmuar në jug të Rripit të Gazësndër të tjera me një predhë tanku. Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu si reagim urdhëroi sulme të reja në brezin bregdetar.
Krahu ushtarak i Hamasit hedh poshtë çdolloj përgjegjësie për sulmet e njoftuara. "Ne theksojmë angazhimin tonë të plotë për të zbatuar të gjitha për sa përmban marrëveshja", theksohet në një njoftim të brigadave Kassam. Kjo vlen për armëpushimin në të gjitha zonat e Rripit të Gazës.
Sulmi pas "vijës së verdhë"
Sulmet, sipas të dhënave të ushtarakëve, ndodhën në një zonë të kontrolluar nga Izraeli në lindje të "vijës së verdhë". Pas kësaj vije ishte tërhequr ushtria bazuar në marrëveshjen e armëpushimit.
Pas këtyre sulmeve, Izraeli njoftoi (19.10.2025) në mbrëmje se armëpushimi sërish është në fuqi.
Hamasi ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e SHBA-së, sipas të cilave organizata po planifikon një sulm ndaj civilëve palestinezë në Rripin e Gazës. Këto janë "pretendime të pabaza", që përshtaten me propagandën izraelite, thuhet në një deklaratë të Hamasit. Plane për sulme të Hamasit ndaj civilëve palestinezë?
Ministria e Jashtme e SHBA-së pati paralajmëruar për një sulm të planifikuar që "pritet të ndodhë së shpejti" ndaj civilëve palestinezë. SHBA, sikurse njofton ministria, kanë informuar fuqitë garantuese të planit të paqes për Gazën lidhur me këto "informacione të besueshme", që nënkuptojnë një shkelje të armëpushimit.
Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit më 10 tetor dhe tërheqjes së trupave izraelite nga pothuajse gjysma e territorit të brezit bregdetar ka pasur njoftime për ekzekutime të civilëve palestinezë në Rripin e Gazës prej Hamasit. Po ashtu ka pasur disa herë njoftime për përplasje të dhunshme ndërmjet Hamasit dhe klaneve rivalizuese në Rripin e Gazës, që janë kundër sundimit të Hamasit. Hamasi, i klasifikuar si organizatë terroriste nga shumë shtete, refuzon të çarmatoset sikurse është parashikuar në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit./DW
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





