Transmetuar më 19-10-2025, 14:38

Maliq, 19 tetor 2025 – Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ka tronditur qytetin e Maliqit këtë të shtunë, pas një zjarri që përfshiu një banesë familjare në bllokun nr. 3 të qytetit.

Rreth orës 13:30, flakët përfshinë banesën e shtetasit V. A., ku ndodheshin bashkëshortja e tij, Merjeme Azislari, 38 vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre të mitur, përkatësisht 14 dhe 6 vjeç. Të tre u nxorën nga banesa nga shërbimet zjarrfikëse dhe u transportuan menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Korçës për ndihmë mjekësore.

Fillimisht, nëna, Merjeme Azislari, humbi jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi dhe plagëve të marra nga zjarri. Më pas, është konfirmuar edhe vdekja e djalit të saj 14-vjeçar, i cili nuk arriti t’i mbijetojë djegieve të rënda. Fëmija i vogël, 6 vjeç, ndodhet ende në spital dhe është nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Sipas burimeve, të dy fëmijët e çiftit vuanin nga çrregullimi i spektrit autik, çka e bën këtë ngjarje edhe më të dhimbshme dhe të ndjeshme për familjen dhe komunitetin.

Shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Policisë ndërhynë në kohë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve përreth, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Maliq / Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë më parë, lidhur me zjarrin e rënë në banesën e shtetasit V. A., në bllokun nr. 3, Maliq, ju informojmë se:

Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë dhe 14-vjeçari, ndërsa 6-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit