

Gjykata e Lartë ka lënë të pandryshuar dënimin me 50 vite burg në total për Faik dhe Shkëlzen Bucin, të dënuar për vrasjen makabre të 23-vjeçares Eglantina Buci, vajzë e familjes së tyre.
E reja u qëllua me plumb nga i vëllai dhe u gropos te Mali me Gropa në vitin 2012.
Në Gjykatën e Lartë babë e bir kërkuan të prishin dënimin e Apelit të Tiranës me nga 25 vjet secili për krimin.
Një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosi të mos pranojë rekursin, duke lënë kështu në fuqi dënimin me një gjysmë shekulli në total për ta.
Krimi i ndodhur në vitin 2012 u zbardh nga drejtësia 8 vite më vonë, në vitin 2020, pasi një mik Shkëlzen Bucit, Miklar Tola, dëshmitar i krimit, vendosi ta rrëfente për autoritetet nën statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Sipas hetimit, vrasja ishte bërë me porosi të babait të 23-vjeçares, Faik Buci, ndërsa ekzekutor ishte i biri, Shkëlzeni.
Motiv i vrasjes dyshohet se kishte qenë refuzimi i vajës për një fejesë të dëshiruar nga i ati dhe largimi i saj për të bashkëjetuar me dikë tjetër, jashtë dëshirës së babait dhe vëllait. Ditën e ngjarjes, Shkëlzen Buci ka thirrur të motrën për kafe. Ata janë nisur drejt Dajtit, ndërsa në makinë ndodhej edhe miku i tij, Tola. Gjatë rrugës ai ka qëlluar në sytë e mikut të tij të motrën, trupin e së cilës e groposi më pas tek Mali me Gropa.
Në Shkallën e Parë dhe në Apel masa e dënimit u bazua në parashikimet ligjore të Kodit Penal për kohën kur është kryer vepra penale.
Në vijimësi ata kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





