

Prokuroria e Shkodrës ka bërë publike detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 5 janar 2025 në Postribë, ku mbeti i vrarë Ramazan Mataj. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj.
Sipas dosjes hetimore të dorëzuar në gjykatë, Arjon Hasaj ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka rrëfyer në detaje mënyrën se si e kishte organizuar ngjarjen. Ai ka treguar se ka krijuar një profil të rremë në rrjetin social Instagram, duke u shtirur si një vajzë, me qëllimin për të joshur viktimën drejt një takimi.
Për të bërë komunikimin më bindës, ai kishte paguar një vajzë rome që t’i dërgonte viktimës mesazhe zanore me zë femre. Kështu, Mataj ishte bindur se po komunikonte me një vajzë nga fshati Drisht dhe kishte pranuar të takoheshin natën e ngjarjes.
Sipas dëshmisë së Hasajt, motivi lidhej me konflikte familjare, pasi motra e tij, Armela Hasaj, kishte pasur një lidhje të mëparshme me viktimën dhe pretendohej se ajo ishte përndjekur dhe kërcënuar. Një video e publikuar në rrjete sociale disa ditë para ngjarjes, ku motra e tij shfaqej pranë makinës së Matajt, kishte ndikuar emocionalisht tek autori.
Në mbrëmjen e ngjarjes, gjatë një nate me reshje shiu, Hasaj e kishte qëlluar viktimën disa herë me armë gjahu sapo ky i fundit kishte mbërritur në vendtakim. Më pas, ishte larguar me biçikletë, duke fshehur armën në afërsi të banesës.
Autori u arrestua në pikën kufitare të Muriqanit teksa përpiqej të largohej drejt Malit të Zi. Nga hetimet janë sekuestruar arma e krimit, 16 gëzhoja dhe municione të tjera.
Gjatë një përgjimi në ambientet e policisë, dy vëllezërit janë dëgjuar teksa diskutonin për të mohuar akuzat në rast se mungonin provat. Megjithatë, pas zbardhjes së fakteve dhe provave materiale, Arjon Hasaj ka pranuar fajësinë.
Çështja vijon në gjykatë dhe pritet të shqyrtohet me një dosje të plotë hetimore, ku përfshihen edhe deklaratat e familjarëve dhe banorëve të zonës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





