

Përfaqësues i Kremlinit, Kirill Dmitriev, ka propozuar së bashku me SHBA-në, ndërtimin e një tuneli hekurudhor nën ngushticën e Beringut, i quajtur “Putin–Trump”, për të lidhur dy vendet dhe për të nxitur bashkëpunimin në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe për të simbolizuar “unitetin”.
Propozimi vjen nga Kirill Dmitriev, përfaqësues i posaçëm i presidentit Vladimir Putin për investimet dhe kreu i fondit shtetëror rus të investimeve RDIF. Ai sugjeron ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore dhe mallrash, me gjatësi 112 kilometra, që do të kushtonte rreth 8 miliardë dollarë dhe do të financohej nga Moska dhe “partnerë ndërkombëtarë”.
Projekti synohet të përfundojë brenda më pak se tetë vjetësh.
Sipas burimeve, Dmitriev është pjesë e një fushate “joshjeje diplomatike” të Rusisë për të ringjallur marrëdhëniet me SHBA-në. Ai e hodhi idenë për tunelin të enjten mbrëma, pasi Putin zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump dhe u ra dakord që të takohen në Budapest për të diskutuar mënyra për të ndalur luftën në Ukrainë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





