Transmetuar më 16-10-2025, 12:55

Kukës – Portieri i skuadrës së futbollit “Tërbuni”, Brajan Marku, është arrestuar nga Policia e Kukësit pas përfundimit të ndeshjes së Kupës së Shqipërisë kundër ekipit të Kukësit. Ngjarja ndodhi në stadiumin “Kukës Arena”, ku 22-vjeçari akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë Bashkiake.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, menjëherë pas përfundimit të takimit, i cili u mbyll me fitoren e Kukësit me rezultatin 3-1, pas kohës shtesë.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Kukës arrestuan shtetasin B. M., 22 vjeç, banues në Tiranë (portier i skuadrës së futbollit ‘Tërbuni’), pasi në përfundim të ndeshjes së futbollit ‘Kukësi–Tërbuni’, në stadiumin ‘Kukës Arena’, ka dhunuar, për motive të dobëta, një punonjës të Policisë Bashkiake Kukës”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Ndaj të riut janë marrë masat procedurale dhe çështja i është referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Nuk dihet ende nëse ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm mes palëve apo nëse ngjarja lidhet me zhvillimet në fushën e lojës.

Ndeshja ishte pjesë e turit të parë të Kupës së Shqipërisë, ku Kukësi siguroi kualifikimin në raundin tjetër.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit