Transmetuar më 15-10-2025, 20:36

Prishtinë- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbështet protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë kundër procesit të tejzgjatur gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur për mediat nga Prishtina, Osmani kërkoi respektim të standardeve dhe lirive të njeriut për një proces gjyqësor të paanshëm.

“E mbështes këtë protestë, e kam mbështetur secilën protestë të cilat thërrasin për drejtësi. Qytetarët dhe shqiptarët nuk kanë kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes së drejtës së njeriut. Kosova dhe krerët në Hagë, pikërisht që kanë pasur besim në drejtësi, janë paraqitur para saj, janë bërë pesë vite pa asnjë dyshim në drejtësi ndërkombëtare. Ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë që parimet më të larta të mbrojtjes së drejtave të njeriut të respektohen, i jap të drejtë qytetarëve tanë dhe i mbështes sa herë protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve.”

Më tej Osmani, teksa vlerësoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, theksoi se edhe ky proces duhet të bëjë dallimin mes agresorit dhe viktimës.

“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin dhe ta çliruar Kosovën nga okupimi që ka zgjatur për shekuj, dhe luftë që ka pasur fokus mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm, të cilët vriteshin dhe masakroheshin nga ushtria serbe. Për këdo që ka parë luftën, dihet e qartë: ka qenë vetëm një agresor, ajo ka qenë Serbia, dhe ka qenë vetëm një viktimë, ajo ka qenë Kosova. UÇK ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, dhe drejtësinë e kësaj lufte do ta mbrojmë deri në fund.”

Organizata e veteranëve të UÇK-së pret që, ashtu si edhe në dy protestat e para të mbajtura në Prishtinë dhe Hagë, edhe në atë të Tiranës të ketë një pjesëmarrje të madhe, jo vetëm të shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Dy ditë më parë, edhe kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale ftesën e organizatorëve të këtij tubimi, duke shkruar se mijëra vetë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora do të mblidhen në sheshin Skënderbej të premten, për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit