Transmetuar më 14-10-2025, 18:34

Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2024 në Komisionin e Ligjeve, ngriti një sërë problematikash që po përballon institucioni që ai drejton.

Një ndër çështjet mbi të cilave vendosi theksin ai ishte mungesa e një portofoli digjital për ruajtjen e kriptovalutave të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme.

“Vetëm gjatë vitit 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro pasuri në kripto. Ndodhemi aktualisht në proces sekuestrimi të një shume edhe më të madhe, por përballemi me vështirësi për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme”, tha Dumani.

Ai theksoi se SPAK nuk ka aktualisht një portofol digjital zyrtar për menaxhimin dhe ruajtjen e kriptovalutave që bllokohen gjatë hetimeve.

Dumani kërkoi ndryshime në legjislacionin përkatës, përfshirë edhe ligjin nr. 1902, që rregullon çështjet e konfiskimeve dhe pasurive të sekuestruara.

Kreu i SPAK kërkoi ndërhyrje edhe në ligjin për konfiskimin e pasurisë duke thënë se janë dy shtete europiane që kanë kërkuar ndarjen e pasurisë së konfiskuar në vendin tonë, pasi shtetas shqiptarë kanë kryer veprat penale aty.

“Po ta shohësh ndër vite SPAK e ka rritur numrin e çështjeve për pastrimin e parave. Është rritur ndjeshëm vlera e pasurive të sekuestruar dhe të konfiskuara. Ne po kryejmë gjithmonë hetim pasuror kur kemi persona të identifikuar. Një element i rëndësishëm është bashkëpunimi me homologët tanë jashtë Shqipërisë. Ku për shtetas shqiptar që janë dënuar për një çështje që ka të bëjë me krimin e organizuar, ne me partnerët tanë, kemi regjistruar procedime pasurore në Shqipëri. Po flas për shtetas shqiptar që nuk kanë kryer vepra penale në Shqipëri, por kanë transferuar pasuritë në Shqipëri, ne kemi regjistruar procedimet pasurore, ne kemi sekuestruar dhe konfiskuar. Ka ardhur koha që ne të diskutojmë me homologët tani, ndarjen e pasurive të konfiskuar mes shteteve. Këtu ka nevojë të ndërhyhet në sistem për të përmirësuar këtë aspekt, pasi janë dy shtete që kanë kërkuar ndarjen e pasurive të konfiskuara”, tha Dumani.

Në fjalën e tij, Dumani foli edhe për presione të vazhdueshme nga faktorë politikë, mediatikë dhe nga grupet e krimit të organizuar, të cilat sipas tij cenojnë integritetin e prokurorëve dhe vijimësinë e hetimeve.

Ai gjithashtu nënvizoi sfidat në bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht për ekstradimet. Dumani përmendi konkretisht vështirësitë me ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që ndodhen në kërkim për çështje të rënda kriminale nën hetimin e SPAK.

“Ka ende paqartësi lidhur me ndarjen e kompetencave me Prokurorinë e Përgjithshme, sidomos në njohjen e vendimeve të huaja dhe çështjet e ekstradimit”, u shpreh ai.

Altin Dumani kërkoi gjithashtu ngritjen e një njësie të posaçme analitike brenda SPAK, për të përforcuar kapacitetet hetimore, si dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të çështjeve, që ende është në zhvillim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit