

Tiranë- Pas një urdhri të bërë publik nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, Policia Rrugore ka sekuestruar qindra monopatë elektrikë në Tiranë gjatë dy ditëve të fundit. Aksioni vjen si pjesë e fushatës për rritjen e sigurisë rrugore dhe kontrollin e mjeteve elektrike në qarkullim, por ka shkaktuar reagime të forta në publik.
Qytetarë dhe përdorues të monopatëve e kanë cilësuar masën si të nxituar dhe të pajustifikuar, duke theksuar se urdhri u dha përmes një postimi në rrjetet sociale dhe jo me një akt zyrtar ligjor. Shumë prej tyre pretendojnë se janë prekur në mënyrë të padrejtë, duke u përballur me konfiskim të pronës pa paralajmërim, informim apo bazë ligjore të qartë.
Në përgjigje të kësaj situate, për të mërkurën është paralajmëruar një protestë në orën 10:00 përpara Policisë Rrugore të Tiranës, ku qytetarët do të kërkojnë anulimin e urdhrit dhe kthimin e monopatëve të sekuestruar. Organizatorët thonë se nuk do të ndalen deri në marrjen e përgjigjeve dhe mbrojtjen e të drejtës së tyre për pronë dhe lëvizje.
Në mungesë të një kuadri të qartë ligjor për qarkullimin e monopatëve elektrikë, ky rast ka hapur debat publik mbi mënyrën se si hartohen dhe zbatohen politikat e sigurisë rrugore në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





