

Me fitoren bindëse 3-0 ndaj Eswatinit të hënën, Kepi i Gjelbër siguroi pjesëmarrjen e tij të parë në një Kupë Bote, duke u bërë njëkohësisht vendi më i vogël në histori, për nga sipërfaqja tokësore, që arrin këtë sukses. Ky rezultat vendos gjithashtu fatin e Kamerunit, që në rastin më të mirë mund të shpresojë për një vend në fazën "play-off".
Festa përfshiu stadiumin kombëtar në Praia, ku “Peshkaqenët Blu” dominuan ndeshjen nga fillimi deri në fund. Pas një pjese të parë pa gola, Kepi i Gjelbër zhbllokoi rezultatin në minutën e 48-të me Dailon Livramenton. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Willy Semedo dyfishoi rezultatin, ndërsa goli i tretë erdhi në kohën shtesë nga veterani 37-vjeçar Stopira.
Kjo fitore përforcon progresin e jashtëzakonshëm të përfaqësueses së Kepit të Gjelbër gjatë dekadës së fundit. Kombëtarja ka marrë pjesë në katër nga gjashtë edicionet e fundit të Kupës së Kombeve Afrikane (CAN), pasi nuk kishte qenë kurrë pjesë e turneut përpara vitit 2013. Në edicionin e vitit 2023, ata arritën deri në çerekfinale, pasi dolën të parët në një grup me Egjiptin dhe Ganën.
Megjithatë, Kepi i Gjelbër nuk do të jetë pjesëmarrës në edicionin e ardhshëm të Kupës së Afrikës që do të zhvillohet në dhjetor 2025, një pengesë e vetme në rrugëtimin e tyre të suksesshëm.
Me një sipërfaqe prej rreth 4.000 kilometrash katrorë, Kepi i Gjelbër vendos një rekord të ri në historinë e Kupës së Botës, duke tejkaluar Katarin (11.000 km²) si vendi më i vogël që merr pjesë në turne. Nga ana tjetër, me rreth 524 mijë banorë, vendi renditet i dyti për nga popullsia më e vogël mes të gjitha përfaqësueseve që kanë marrë pjesë ndonjëherë në një Kupë Bote, pas Islandës që kishte 340 mijë banorë në vitin 2018.
Kameruni jashtë loje, në pritje të mrekullisë
Në të njëjtën ditë, Kameruni barazoi 0-0 me Angolën në Yaoundé dhe humbi vendin e parë në grup. Në këto kushte, përfaqësuesja kamerunase ka shpresa vetëm për një vend në fazën "play-off", nëse renditet ndër katër skuadrat më të mira të vendeve të dyta në kualifikueset e zonës afrikane.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





