

Janë publikuar emrat e këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e fundvitit. Komisioni Përzgjedhës i Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, me Drejtore Artistike artisten Elhaida Dani, ka shpallur zyrtarisht listën e artistëve që do të ngjiten në skenën e këtij edicioni.
Këtë vit janë përzgjedhur 28 artistë, mes të cilëve disa emra të njohur të muzikës shqiptare, si dhe rikthime të artistëve që kanë lënë gjurmë në muzikën moderne.
Gjithashtu do të ketë edhe zëra të rinj që do të prekin për herë të parë skenën e Festivalit si një trampolinë e vërtetë për të nisur ngjitjen në karrierën e tyre muzikore.
Mes emrave që do të garojnë këtë vit është këngëtarja nga Kosova, Fifi, e cila në këtë edicion vjen në duet me Tiri Gjocin, me të cilin ka bashkëpunuar edhe më herët.
Po ashtu, në listë gjendet edhe Alis, i cili në Festivalin e 63-të u vlerësua me vendin e tretë me këngën “Mjegull”. Një tjetër rikthim është ai i artistit Vedat Ademi.
Në garë do të jenë edhe Evi Reçi, Sheila, Kamela Islamaj, Gerta Mahmutaj, Erik Lloshi, Enxhi Nasufi dhe Gresa Gjocera.
Në këtë edicion rikthehen gjithashtu Lorenc Hasrama, Luna Çausholli dhe Kleansa Susaj. Grupi “2 Farm”, pjesëmarrës në Festivalin e 61-të, është një tjetër rikthim.
Festivali do të presë edhe emra të rinj që garojnë për herë të parë. Një prej tyre është Egzon Pireci, me origjinë nga Prizreni, i cili e ka nisur rrugëtimin artistik që në moshë të vogël. Në Festivalin e Këngës garon edhe Iris Neziri, një tjetër emër i njohur për publikun.
Gjithashtu emra të tjerë që do të bëhen pjesë e këtij edicioni janë Threex, Sihana Haxhnikaj, Savjana Vjerdha, Sara Kapo, Rigersa Loka, Rezarta Smaja, Malvina Likaj, Kimi, Ghiti, si edhe Endri Kaçaçi.
Ndërkohë, surpriza e këtij edicioni është pjesëmarrja e aktorit të njohur Erand Sojli, që këtë herë do të ngjitet në skenë si këngëtar.
Festivali i 64-t i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të vijë nën drejtimin artistik të Elhaida Danit për katër net me radhë dhe publiku do të ketë mundësi të shijojë muzikën e artistëve të preferuar. Nata e parë dhe e dytë do të jenë netët konkurruese, nata e tretë do t’i kushtohet Nostalgjisë, një natë shumë e dashur për publikun, ndërsa nata e katërt do të jetë Finalja e Madhe.
Ashtu si edhe vitin e kaluar, gjatë muajit nëntor pritet të publikohen edhe këngët konkurruese të artistëve pjesëmarrës, duke i dhënë publikut mundësinë të njihet më herët me krijimet e tyre muzikore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





