

Prishtinë, 12 tetor 2025
Zgjedhjet lokale në Kosovë, Memli Krasniqi: PDK-ja është fituesja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se subjekti që ai udhëheq është fituesja e zgjedhjeve lokale.
Sipas tij, PDK-ja ka numrin më të madh të komunave të fituara pa balotazh, ka fituar numrin më të madh në kuvende komunale si dhe është partia me më së shumti komuna që do të marrë pjesë në balotazhin e 9 nëntorit.
LDK shpall fitoren në tri komuna në rund të parë, Lumir Abdixhiku: Urojmë fituesin e garës kryesore
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shpalli fitoren në rund të parë në Istog, Lipjan dhe Junik.
Ai tha se gara është afër të përmbyllet edhe në Pejë që në rund të parë.
“Urojmë fituesin e garës kryesore, Përparim Pamën. Pas 12 vjetësh, në Prishtinë për herë të parë LDK është e para edhe për kryetar edhe për kuvend komunal”, tha ai gjatë konferencës.
Sipas rezultateve preliminare, në bazë të 48.88 për qind të votave të numëruara, Rama ka fituar 34.21 për qind të votave dhe do të shkojë në balotazh me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje, që ka 33.21 për qind.
Rama, ndërkaq, falënderoi qytetarët për mbështetjen. Në Junik, numërimi ka përfunduar dhe kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu ka fituar 47.91 për qind të votave. Në Istog, me 76.67 për qind të votave të numëruara, Ilir Ferati nga LDK ka 59.40 për qind të votave.
Zgjedhjet lokale në Kosovë, Ramush Haradinaj: Shënuam fitore bindëse në komunat ku kemi qeverisur
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij ka shënuar fitore bindëse në komunat ku ka qeverisur deri më tani: Suharekë, Rahovec, Deçan, Gjakovë dhe Klinë.
“Po ashtu ekziston mundësia që gara në Junik të vazhdojë në rundin e dytë. Ne kemi garuar në 25 komuna për kryetarë komune dhe në 28 për asamble. Kemi informata për rritje për votën e Aleancës edhe për asamble, por për këto të dhëna nuk do të nxitohemi, do të presim rezultatin final”, tha Haradinaj në një konferencë për media.
Ai u bëri thirrje komisionerëve që gjatë procesit të numërimit të ruajnë votën dhe të mos lejojnë keqpërdorime.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





