Transmetuar më 12-10-2025, 22:25

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shpallur fitore në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në tri komuna: Istog, Lipjan dhe Junik, ndërsa pretendon një tjetër fitore të mundshme që në raundin e parë edhe në Pejë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media të mbajtur pas përfundimit të procesit të votimit, tha se këto rezultate konfirmojnë kthimin e fuqishëm të partisë në skenën politike lokale.

“Urojmë fituesin e garës kryesore, Përparim Ramën. Pas 12 vjetësh, në Prishtinë për herë të parë LDK është e para edhe për kryetar, edhe për kuvend komunal,” deklaroi Abdixhiku, duke përshëndetur rezultatin e kandidatit të partisë në kryeqytet.

Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të 48.88 për qind të votave të numëruara në Prishtinë, kandidati i LDK-së Përparim Rama ka fituar 34.21 për qind, ndërsa do të përballet në balotazh me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka marrë 33.21 për qind.

Rama falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen, duke u zotuar për një fushatë dinjitoze drejt raundit të dytë.

Rezultatet në komunat ku LDK ka shpallur fitoren:

Junik: Numërimi ka përfunduar dhe kandidati i LDK-së Ruzhdi Shehu ka fituar me 47.91 për qind të votave. Istog: Me 76.67 për qind të votave të numëruara, Ilir Ferati i LDK-së ka siguruar një rezultat bindës me 59.40 për qind. Lipjan: Rezultatet pritet të konfirmohen zyrtarisht, por LDK ka shpallur fitoren edhe në këtë komunë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit