

Tiranë, 10 Tetor 2025 – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se në takimin e shumëpërfolur në Aruba, që sipas tij përbën provë të bashkëpunimit mes qeverisë dhe karteleve të drogës, ka qenë i pranishëm Don Agaçi, sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se me një “përqindje të lartë sigurie”, beson se Agaçi ishte pjesë e delegacionit, ndërsa shtoi se po punon për të identifikuar edhe një ministër që sipas tij ka qenë gjithashtu i pranishëm.
“Të them të vërtetën, nuk i kurseja. Di me një përqindje shumë të lartë sigurie, por jo 100 përqind, se Don Agaçio ka qenë aty. Cili nga ministrat, nuk e di. Jam duke u përpjekur ta gjej”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se takimi në Aruba është, sipas tij, prova më e fortë e përfshirjes së qeverisë në bashkëpunim me grupet kriminale, dhe se kjo është dokumentuar në dosjet e drejtësisë belge dhe italiane.
“Aruba është e vërtetë. Është fakti më flagrant i bashkëpunimit të Edi Ramës me kartelet e drogës. Fakti që ka vendosur të nisë përfaqësues të tij në Aruba, është shumë i rëndësishëm. Dhe kjo është e faktuar nga dosja belge, nga antimafia italiane dhe nga dosja që fsheh Altin Troplini në SPAK,” deklaroi Berisha.
Kreu i PD shtoi se do të publikojë emrin e ministrit sapo të konfirmohet zyrtarisht identiteti i tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





