

Prishtinë, 10 Tetor 2025 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur sot një seancë e rëndësishme në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Dëshmitari i parë që u thirr sot në gjykatë ishte Valon Lluka – personi i parë që, sipas hetimeve, u kontaktua nga Murseli pas ngjarjes tragjike. Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Lluka tregoi për një telefonatë të pazakontë që mori në mëngjesin e asaj dite nga një numër i panjohur.
“Më telefonoi nga një numër që përfundonte me 417. Nuk e njihja. Më shkroi: ‘Urgjent, çele! Urgjente, Naimi!’,” tha Lluka para gjykatës. “Fillimisht nuk e dija kush ishte, dhe i thashë: ‘Më falni, cili Naim? Jam me mysafirë’. Ai më tha: ‘Murseli, o Valon, na kanë vrarë’.”
Sipas dëshmitarit, Murseli i kishte thënë se ishin qëlluar dhe se dikush ishte vrarë, duke lënë të kuptohet që bëhej fjalë për bashkëshorten e tij, Liridona Ademaj. Lluka theksoi se telefonata nuk ishte bërë nga telefoni personal i Murselit dhe se ai nuk i kishte treguar vendndodhjen.
Prokuroria konfirmoi se kjo ishte telefonata e parë që Murseli bëri pas ngjarjes. Seanca gjyqësore po vazhdon me dëshmitarë të tjerë dhe mbledhjen e provave që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





