

Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua ceremonia e certifikimit të 112 oficerëve të rinj të sigurisë në shkolla, pjesë e një programi që synon të forcojë mbrojtjen e nxënësve dhe të sigurojë një mjedis arsimor të qetë dhe të sigurt.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, e cilësoi këtë moment si përmbylljen e një etape të rëndësishme në përpjekjet për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore.
“Siguria në shkolla nuk është vetëm detyrim policor, por një proces institucional dhe shoqëror ku bashkëpunojnë të gjithë: oficerët e sigurisë, mësuesit, prindërit, psikologët, pushteti vendor, vetë nxënësit dhe qytetarët”, theksoi Proda.
Ai nënvizoi se oficerët e sigurisë nuk janë vetëm për zbatimin e ligjit, por edhe për të ndihmuar, këshilluar dhe edukuar nxënësit. “Ata janë ura lidhëse midis Policisë dhe shkollës, për të dëgjuar, për të parandaluar dhe për të ndërtuar besim te të rinjtë”, shtoi drejtori.
Që nga viti 2019, Akademia e Sigurisë ka zhvilluar shtatë kurse trajnimi për oficerët e sigurisë në shkollat publike, bazuar në një kurrikul të miratuar, duke përgatitur profesionistë të aftë për të përballuar situatat që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve.
Në përfundim, Proda u bëri thirrje oficerëve të rinj që ta shohin detyrën e tyre si një mision të përbashkët me shkollën dhe komunitetin:
“Edhe pse nuk mbani uniformë policie, konsiderojeni veten si të tillë. Vetëm së bashku mund të garantojmë që shkolla të jetë vendi më i sigurt për fëmijët tanë.” /noa.al



Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





