

Fier – Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e sotme në Fier, ku një grua është arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj një avokati, në ambientet e zyrës së tij.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Fierit kanë arrestuar në flagrancë shtetasen V. Xh., 49 vjeçe, banuese në fshatin Mbrostar Ura.
E arrestuara dyshohet se ka kanosur dhe goditur në zyrë shtetasin A. K., 59 vjeç, banues në Fier, i cili është avokati që përfaqëson të birin e saj në një proces gjyqësor ndaj prindërve.
Nuk dihen ende motivet e sakta që e shtynë gruan drejt këtij veprimi, por ngjarja ka ngritur shqetësim për sigurinë e profesionistëve të drejtësisë në raste të ngjashme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





