Transmetuar më 07-10-2025, 18:34

KUMANOVË, 7 TETOR 2025 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së martës qytetin e Kumanovës në Maqedoninë e Veriut, ku kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Zekirja Shahini, ka mbetur i plagosur pas një atentati të armatosur.

Sipas njoftimeve zyrtare nga BDI dhe mediave vendase, Shahini, 43 vjeç, banor i fshatit Sllupçan dhe bartës i listës së këshilltarëve të partisë në komunën e Likovës, është qëlluar me tre plumba në këmbë nga një person i maskuar që i kishte zënë pritë. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Kumanovës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë treguar se agresori, pasi hapi zjarr, u largua me shpejtësi në drejtim të panjohur. Forcat policore dhe grupi hetimor kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit, si dhe për identifikimin e autorëve.

Në reagimin e saj zyrtar, BDI e ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar si një akt të rëndë dhune dhe duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike.

“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut… Kërkojmë nga institucionet që të veprojnë me transparencë të plotë për të zbardhur rastin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve,” – thuhet ndër të tjera në reagimin e partisë.

Në shenjë solidariteti me të plagosurin, BDI ka pezulluar të gjitha aktivitetet e saj për ditën e sotme, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Autoritetet e rendit vijojnë hetimet për të zbuluar motivet dhe përgjegjësit e atentatit që ka tronditur opinionin publik në Kumanovë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit