

“Ai vdiq për drejtësinë” – Banorët mes lotësh për gjyqtarin Astrit Kalaja
Banorët e ndërtesës në Shkodër, nga ku nisi konflikti që çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, kanë folur të tronditur për përvojën e tyre shumëvjeçare me gjyqet dhe kërcënimet që, sipas tyre, janë bërë pjesë e jetës së përditshme. Ata shprehen se Kalaja dha drejtësi dhe humbi jetën “për ne”.
“Jemi nën kërcënim të vazhdueshëm,” rrëfen një nga banorët. Një zonjë tjetër tregon: “Po, ka ardhur te shtëpia ime. Unë dal në punë në 6 të mëngjesit, dhe kur kthehem, e gjej makinën të parkuar para derës.”
Banorët ndihen të pambrojtur dhe fajësojnë institucionet për mungesë reagimi. “Bashkia dhe hipoteka e kanë bërë këtë punë,” thotë një tjetër. “Kjo ka qenë dhe është ende pronë e shtetit. Ai i ka humbur të gjitha gjyqet, nuk ka dokument për të na nxjerrë jashtë. Kur i humbi gjyqet, filloi të kërcënonte.”
Konflikti për pronësinë daton që nga viti 2012 dhe është trajtuar në disa shkallë gjyqësore. Banorët pohojnë se familja e autorit të dyshuar, Elvis Shkambi, ka ushtruar presione të vazhdueshme ndaj tyre, për të cilat janë bërë edhe denoncime në polici.
“Ka një vit që flitet në gjyqe. Ne, banorët, kemi bërë denoncim. Ka thënë Gjon Shkambi publikisht ‘do të më jepni dëmet’. E kemi raportuar në polici, por asgjë s’u bë.”
Një tjetër banor, i përlotur, thotë: “Ma bëj hallall djali jem… Ndihemi të rënduar. Ai burrë vdiq për drejtësinë, për burrninë e vet, por edhe për ne.”
Sipas tyre, gjyqtari Astrit Kalaja nuk ishte vetëm një përfaqësues i ligjit, por një njeri që pati kurajën të përballej me presionin dhe të mbrojë të vërtetën, edhe pse e dinte rrezikun.
“Ai vdiq sepse bëri detyrën e tij,” përfundon një nga banorët. “Dhe kjo është e tmerrshme për një vend ku dikush vritet sepse dha drejtësi.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





