

Rama pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja: “Kërkohet përgjigje ekstreme ligjore ndaj agresorit”
Tiranë, 6 tetor 2025 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Rama shprehu ngushëllime vëllazërore për familjen e gjyqtarit të ndjerë dhe uroi që ai të “prehet në paqe”.
Kreu i qeverisë dënoi ashpër aktin e dhunshëm, duke theksuar se “agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit”.
Rama shtoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si moment reflektimi për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, duke vënë në dukje se “siguria nuk mund të mbetet çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit”.
Në reagimin e tij, ai nënvizoi gjithashtu se ngjarja është “argumenti më i pakundërshtueshëm për ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtjen pa leje” dhe për shtrëngimin e afateve ligjore që shpesh ulin efektivitetin e mbrojtjes ndaj armëve të paligjshme.
“Lutem që ky moment kaq tronditës të nxisë reflektim mbi lehtësinë me të cilën trajtohet armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore,” përfundoi Rama.
—
E plotë:
Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe🙏
Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit.
Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!
Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!
Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore🙏
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





