

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar atë si “mercenar” dhe duke vënë në pikëpyetje vendimet e drejtësisë shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Dumani po mban në burg Ilir Metën “ndonëse të gjitha dosjet janë dorëzuar”, ndërkohë që sipas tij, ka lejuar lirimin e Pajtime Fetahut, të cilën e cilësoi si “simotrën e tij”, duke aluduar për lidhje të afërta apo trajtim të privilegjuar.
“Ky mercenar, që mban në burg Ilir Metën pasi janë dorëzuar të gjitha dosjet, ky nxori simotrën e tij, Pajtime Fetahun, Pajtime Troplini apo Pajtime Dumani,” – deklaroi Berisha.
“E nxori sepse ishte e sëmurë. Unë i uroj shërim, por 30-40% e popullatës në burgje janë të sëmurë dhe kjo është një shifër e saktë. Kurse simotra e Dumanit dhe asaj Enkelejda Ballës, këto duhet të dalin në liri, ndërsa të tjerët mbahen brenda,” – shtoi ai.
Berisha akuzoi drejtësinë se po vepron me standard të dyfishtë dhe përmendi edhe lidhjet mes disa emrave të përmendur në çështje të ndryshme hetimore dhe gjyqësore, duke e konsideruar situatën si “turp për drejtësinë shqiptare dhe atë botërore”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





