

Tiranë, 4 Tetor 2025 – Një raport i publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar problematika serioze në trajtimin e pacientëve onkologjikë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), përfshirë ndërprerje të zgjatura në furnizimin me barna dhe përdorimin e protokolleve të vjetruara mjekësore.
Sipas raportit të auditimit, i cili përfshin afro 200 faqe, në shumë raste është konstatuar mungesë totale e barnave kimioterapike për periudha që arrijnë deri në 6 muaj, duke ndikuar drejtpërdrejt në vijimësinë e trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale.
“U evidentuan raste kur gjendja ka qenë 0 për periudha më të gjata se 1 javë, si në magazinën qendrore të QSUT, ashtu edhe në farmacinë që furnizon pavionet e onkologjisë,” – thuhet në raportin e KLSH.
Raporti ngre gjithashtu shqetësimin për përdorimin e protokolleve klinike të hartuara që prej vitit 2014, të cilat nuk janë përditësuar në përputhje me zhvillimet më të fundit të shkencës mjekësore, si dhe me standardet e Bashkimit Europian apo rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Përdorimi i protokolleve të vjetra mund të ndikojë në uljen e cilësisë së trajtimit dhe në aplikimin e terapive që tashmë janë tejkaluar,” – nënvizohet në raport.
KLSH i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë krijimin e një grupi pune për përditësimin e protokolleve mjekësore dhe garantimin e një sistemi të qëndrueshëm furnizimi me barna esenciale për pacientët onkologjikë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






