

Me një dekret të Presidentit të Republikës, më 9 nëntor 2025 janë thirrur zgjedhje të parakohshme në 6 bashki të vendit, përfshirë kryeqytetin. Fituesit e tyre do të kenë një mandat të shkurtër, rreth një vit e gjysmë sepse më 2027 do të ketë sërish zgjedhje.
Në zgjedhje pritet të thirren për të marrë pjesë gati një milion votues në gjashtë bashkitë ku zhvillohen zgjedhje të pjesshme.
KQZ, përmes kreut Ilirjan Celibashi shprehu paaftësinë për të zhvilluar votim elektronik. Celibashi tha se kjo "nuk shihet si e arsyeshme për shkak të kohës së shkurtër dhe mungesës së eksperiencës së zgjedhësve në këto bashki".
“Për kohën, ne e kemi parë si jo shumë të gjetur nëse do merrnim vendim për të zhvilluar votim elektronik në disa qoftë edhe në një njësi zgjedhore, por do të bënte sens nëse do të ishte rasti i ndonjërës prej atyre njësive zgjedhore ku më përpara është aplikuar votimi elektronik sepse në këtë rast do kishim votues që do kishin një eksperiencë të krijuar. Zgjedhësit në këto njësi zgjedhore janë familjarizuar me votimin me fletë”, deklaroi Celebashi.
Ai nuk shpjegoi pse Vlora për shembull nuk është e aftë të bëjë votim elektronik, kurse Vora dhe Kamza po.
Në 9 nëntor pritet që rreth 992 mijë qytetarë të ftohen për të votuar në gjashtë bashkitë: Tiranë, Vlorë, Tepelenë, Mat, Cërrik dhe Berat. Pritshmëritë janë që më pak se gjysma e tyre të jenë të pranishëm në proces.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






