

Është identifikuar burri që u vra sot në Tiranë. Ai është Hajdar Ismailgeci dhe mbeti i pajetë në moshën vetëm 40 vjeç, raporton noa.al.
Policia tha se rreth orës 20:10 të mbrëmjes së sotme, në zonën e Babrrusë, Kamëz, është gjetur pa shenja jete një shtetas tashmë i identifikuar, 40 vjeçari, Hajdar Ismailgeci.
I ndjeri u gjet i pajetë në mes të rrugës pranë shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”.

Nga këqyrja paraprake rezulton se viktima kishte një plagë të shkaktuar me mjet prerës, e cila dyshohet të ketë qenë shkaku i humbjes së jetës.
Dyshohet se viktima u godit me thikë pas një sherri duke mbetur i plagosur, e më pas humbi jetën si pasojë e hemorragjisë, tha policia.
Raportohet se autori i krimit, pasi ka goditur me thikë Ismajlgecin, dyshohet se ka shkuar në një lokal rreth 300 metër larg vendit të ngjarjes. Ai është parë nga banorët e zonës me njolla gjaku. Pasi ka qëndruar pak atje, është larguar nga lokali për në drejtim të paditur.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë si dhe kapjen e autorit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






