Transmetuar më 02-10-2025, 19:40

Laç, 2 tetor 2025

Kisha e “Shna Ndout” në Laç, një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri, është në qendër të debatit publik për shkak të një projekti të ri ndërtimi të propozuar nga Provinca Françeskane.

Sipas projektit, planifikohet ndërtimi i një kishe të re mbi vendin aktual, ndërsa poshtë saj do të krijohet një hapësirë që në terminologjinë kishtare njihet si “Kripta”, një vend për lutje. Ky detaj ka shkaktuar kundërshti nga ana e priftit të kishës, Frati Ndue Toplana, si dhe nga një pjesë e komunitetit të besimtarëve.

“Një bodrum nuk mund të jetë kishë. Po flitet për një projekt me kosto të lartë, që në thelb nuk sjell një zgjidhje të denjë për vendin e shenjtë,” – u shpreh Frati Toplana, duke kundërshtuar idenë e krijimit të hapësirës nën tokë.

Në një deklaratë zyrtare, Provinca Françeskane sqaron se kisha ekzistuese nuk do të preket dhe se projekti synon ndërtimin e një katedraleje të re mbi tokë, pa cenuar vlerat ekzistuese. Sipas tyre, “Kripta” nuk është një bodrum, por një hapësirë tradicionale për lutje në strukturat e reja kishtare.

Projekti është miratuar nga strukturat e brendshme të Provincës dhe është në pritje të lejes zhvillimore nga Bashkia e Kurbinit prej tre vitesh. Deri më tani nuk ka një datë zyrtare për nisjen e punimeve.

Ndërkohë, debati mbi mënyrën e realizimit të këtij projekti mbetet i hapur në opinionin publik dhe në radhët e komunitetit fetar të zonës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit