Transmetuar më 01-10-2025, 09:54

Hetim disiplinor për shefin e Krimeve dhe efektivë të tjerë – e mitura nën mbrojtje, dy policë jashtë shërbimit

Skandali i rëndë i përfshirjes së dy efektivëve të Policisë së Shtetit në Përmet dhe Tepelenë në një rast të ndjeshëm ndaj një vajze të mitur ka sjellë lëvizje në strukturat drejtuese lokale të policisë.

Shefi i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko, është pezulluar nga detyra pas nisjes së një hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, pasi dyshohet se kishte dijeni për rastin dhe nuk mori masa.

Vendimi për pezullim është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit më 19 shtator 2025, në vijim të hetimeve të nisura nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

“Ka filluar hetim disiplinor për mosveprim, bazuar në Ligjin Nr.82/2024 ‘Për Policinë e Shtetit’, neni 121, pika 1, germa a, për mospërmbushje të detyrës me pasoja të rënda,” – thuhet në përgjigjen zyrtare të policisë për Report TV.

Vajza ishte nën kujdesin e njerkut, efektiv policie

Ngjarja doli në dritë më 18 shtator, pasi në rrjete sociale u shpërndanë mesazhe kërcënuese dhe denoncuese, që implikonin një punonjës policie në një marrëdhënie problematike me një vajzë të mitur. Sipas hetimeve paraprake, vajza kishte qenë për tre vite nën kujdesin e njerkut, efektiv i Policisë së Përmetit, i identifikuar me inicialet P.B.

Ndërkohë, një tjetër punonjës i policisë, Artur Ago, efektiv në Tepelenë, dyshohet se e kishte ngacmuar vajzën në disa raste.

Shantazh, video dhe kërkesë për para

Përveç dy efektivëve, në pranga kanë rënë edhe Kristian Prifti (46 vjeç) dhe Isi Pasho (27 vjeç), të cilët akuzohen se kanë shantazhuar policin Ago, duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar një video komprometuese në një emision investigativ.

Të dy efektivët janë pezulluar nga detyra, ndërsa vajza ndodhet aktualisht nën mbrojtje familjare dhe mbështetje psikologjike.

AMP: Në hetim edhe punonjës të tjerë

Burime zyrtare konfirmojnë se janë identifikuar edhe punonjës të tjerë të policisë që mund të kenë qenë në dijeni të situatës dhe nuk kanë raportuar. Për ta janë nisur procedura verifikimi nga AMP Vlore-Gjirokastër.

Ngjarja ka shkaktuar indinjatë publike dhe pritet të pasohet me masa të tjera administrative e penale, sipas ecurisë së hetimeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit