Transmetuar më 01-10-2025, 07:40

Qeveria ka miratuar vendimin për indeksimin e pensioneve me 2.5%, i cili hyn në fuqi nga data 1 tetor 2025. Nga kjo masë përfitojnë gjithsej 721,398 pensionistë në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave zyrtare:

607,567 prej tyre janë përfitues të pensionit të pleqërisë,

65,926 marrin pension invaliditeti, dhe

47,905 janë përfitues të pensioneve familjare.

Indeksimi do të aplikohet edhe për pensionet që do të caktohen pas datës 1 tetor 2025, me kusht që e drejta për pension të jetë lindur deri më 30 shtator 2025, përfshirë edhe këtë datë.

Efektet financiare

Zbatimi i këtij vendimi përllogaritet të ketë një kosto prej 1.14 miliardë lekësh, të cilat do të përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin përkatës. Ky fond ndahet si më poshtë:

1.106 miliardë lekë për mbulimin e pagesave të përfitimeve,

34 milionë lekë për zbatimin teknik të vendimit dhe komisionet e shërbimit të pagesave nga Posta Shqiptare dhe bankat e nivelit të dytë.

Kategoritë përfituese të indeksimit 2.5%

Vendimi parashikon indeksimin e pensioneve dhe trajtimeve të mëposhtme:

Pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare të caktuara sipas ligjeve nr. 4171/1966, nr. 4976/1972 dhe nr. 7703/1993.

Pensionet sociale sipas ligjit nr. 7703/1993.

Shtesa mujore për invalidët e Luftës Nacionalçlirimtare (vendimi nr. 326, datë 21.6.1993).

Pensionet për ushtarakët sipas dekretit nr. 758, datë 1.2.1994.

Shtesat mbi pensione të ndryshme sipas dispozitave të ligjit nr. 7703/1993 dhe të ligjit nr. 4171/1966.

Pensionet suplementare për ushtarakët, policët, shërbimet inteligjente, punonjësit e zjarrfikëses dhe burgjeve (ligji nr. 10142/2009).

Trajtimet e posaçme për:

Familjet e pilotëve fluturues (ligjet nr. 8455/1999 dhe nr. 9128/2003),

Lundruesit në nëndetëse dhe palombarët (ligji nr. 9361/2005),

Punonjësit e minierave në nëntokë (ligji nr. 8685/2000 dhe nr. 150/2014),

Punonjësit e industrisë ushtarake (ligji nr. 9179/2004),

Personat me tituj shkencorë në institucione publike (ligji nr. 10139/2009),

Funksionarët me funksione kushtetuese (ligji nr. 8097/1996),

Veteranët e Luftës (ligji nr. 7874/1994),

Përfituesit e ligjit nr. 29/2019 për industrinë e rëndë,

Fëmijët nën përkujdesje të shtetit (ligji nr. 129/2021),

Personat me status invalidi sipas vendimit nr. 869/2008.

Pensionet minimale dhe maksimale pas indeksimit

Pensionet e pleqërisë dhe invaliditetit të plota, të caktuara deri më 31 dhjetor 2014, nuk do të jenë:

Më pak se 18,335 lekë në muaj,

Më shumë se 36,670 lekë në muaj.

Për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore dhe të tjerët që përfitojnë sipas nenit 96 të ligjit nr. 7703/1993:

Pensioni nuk do të jetë më pak se 12,554 lekë dhe jo më shumë se 18,335 lekë në muaj.

Pensionet e parakohshme pas 1 tetorit 2025 nuk do të jenë më pak se 18,335 lekë në muaj.

Pensioni i plotë social, nga 1 tetori 2025, do të jetë 9,953 lekë në muaj.

Kompensimet shtesë për kategoritë përfituese

Përfituesit e pensioneve të caktuara deri më 31 dhjetor 2014, do të vijojnë të marrin kompensime për të ardhura minimale dhe ndryshimet e çmimeve të mallrave bazë, si energjia elektrike, buka dhe lëndët djegëse, sipas vendimeve ekzistuese të Këshillit të Ministrave:

Vendimet nr. 401 (2006), nr. 763 (2006), nr. 415 (2009), nr. 474 (2010), nr. 17 (2007), nr. 138 (1994), dhe nr. 471 (1996).

Gjithashtu, përfituesit e pensionit familjar do të kenë të drejtën e kompensimeve për të ardhura dhe çmime, sipas të njëjtave vendime.

Ky vendim i miratuar tashmë dhe botuar në Fletoren Zyrtare, synon të ruajë fuqinë blerëse të pensionistëve në kushtet e inflacionit dhe ndryshimeve të çmimeve në tregun e brendshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit