Transmetuar më 30-09-2025, 23:05

Interi ka marrë fitoren e dytë radhazi në Champions, pasi mposhti me lehtësi Slavia Pragën 3-0 në “San Siro”, duke zgjatur në nëntë ndeshje ecurinë pa fitore të çekëve në transfertë kundër ekipeve italiane në Europë.

Skuadra e Kristian Kivusë dominoi që nga fillimi, por iu desh rreth gjysmë ore lojë për të gjetur golin. Një pasim i gabuar i portierit Stanek brenda zonës u shfrytëzua në maksimum nga Lautaro Martinez, i cili hapi rezultatin me një gol të thjeshtë.

Vetëm pak minuta më pas, Markus Thuram bëri një depërtim të shkëlqyer nga krahu dhe shërbeu topin për Denzel Dumfris, që e shtyu në rrjetë nga fare pranë për 2-0.

Pas pushimit, Interi vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe vetëm një ndërhyrje heroike e Çaloupek, që largoi topin mbi vijën fatale ndaj goditjes së Petar Suçiç, shmangu golin e tretë përkohësisht.

Megjithatë, në mesin e pjesës së dytë, një aksion i shpejtë me Turam dhe Alesandro Bastonin përfundoi me asistin e këtij të fundit për Martinez, i cili shënoi dopietën e tij personale.

Ndryshimet e shumta në fund ngadalësuan disi ritmin e zikaltërve, por Slavia nuk arriti të kërcënonte seriozisht, përveç një goditjeje nga distanca të Muhamed Çam në minutën e 80-të, që u ndal pa vështirësi nga Zomer.

Me këtë fitore, Interi është në një pozicion të shkëlqyer drejt kualifikimit, statistikat tregojnë se çdo skuadër që sezonin e kaluar e nisi fazën e ligës me dy fitore, arriti në fazën me eliminim direkt. Slavia, nga ana tjetër, duhet të rikuperohet shpejt për derbin e fundjavës ndaj Sparta Pragës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit