

Është liruar nga qelia Behar Kamberi, mjeku psikiatër që policia e Tiranës e arrestoi me iniciativë, pas një kallëzimi të bërë nga moderatorja sportive, Albana Bejko, e cila pretendonte se ishte përndjekur nga mjeku kosovar.
Vendimi i drejtë për lirimin e Kamberit, është marë nga prokuroria e Tiranës, e cila pasi vlerësoi materialin e referuar nga komisariati Nr.2, mori deklarimin e kallëzueses Albano Bejko si dhe realizoi këqyrjen e mesazheve, krijoi bindjen ligjore se Kamberi nuk mund të vijonte të qëndronte në paraburgim.
Disa mesazhe të lexuara nga gazetari Elton Qyno, tregojnë një ndjenjë sentimentale që mjeku kosovar Behar Kamberi, ka shfaqur ndaj moderators sportive.
Mesazhe me tekste si: “…Të dua…dëshiroj të martohem me ty…” apo “…jeni shumë e bukur, dua tju takoj se kam ardhur nga Kosova vetëm për ju…”, janë vlerësuar nga prokuroria e Tiranës si një komunikim krejt normal dhe aspak shqetësues, intimidues, apo kanosës për jetën e moderatores sportive.
Mbi të gjitha këto mesazhe të këqyrura nga prokuroria, nuk përbëjnë shkak serioz për vijimin e mbajtjes në burg të mjekut psikiatër Behar Kamberi.
Lidhur me këtë rast në pyetje është marë dhe mjeku psikiatër, i cili mes lotëve ka dëshmuar në polici se thjesht ka shfaqur ndjenjat sentimentale dhe kishte ardhur në Tiranë, me shpresën për ta takuar Albanën dhe propozuar për martesë.
Mjeku mes lotëve është shprehur se nuk mund të qëndrojë në burg vetëm se ka shfaqur pëlqimin ndaj një vajze, pasi sipas tij ai në asnjë moment nuk e ka kanosur apo ta ketë frikësuar moderatoren sportive.
Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Tiranës pasi studioi në tërësi rastin në fjalë, vendosi urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të mjekut kosovar Behar Kamberi, duke zgjedhur që hetimi ndaj tij të vijojë në gjendje të lirë.
Rasti në fjalë tregon vijën juridike delikate të përndjekjes dhe shfaqjes së një ndjenje dashurie ndaj një vajze, e cila edhe pse nuk shfaq dakordësinë i drejtohet policisë me një kallëzim penal, duke çuar në arrestimin e mjekut kosovar.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






