Transmetuar më 30-09-2025, 12:23

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur alarmin për ngërçin në funksionimin e Kuvendit, duke theksuar se vonesat në punën parlamentare po pengojnë detyrime të rëndësishme ligjore.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka kërkuar që komisionet parlamentare të rifillojnë menjëherë veprimtarinë e tyre, pasi zvarritja është e papranueshme dhe dëmton procesin e raportimit e të analizimit të institucioneve kryesore të vendit.

Braçe ka kujtuar se Kuvendi nuk ka shqyrtuar ende raportet vjetore për vitin 2024 të Bankës së Shqipërisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoritetit të Konkurrencës.

“Parlamenti duhet të nisë punë sa më parë! Komisioni i Ekonomisë, Financave dhe Punësimit ka një sërë detyrimesh ligjore të paplotësuara. Është tepër vonë: këto institucione duhet të raportojnë për punën e vitit 2024, për detyrat e lëna dhe për efektet ndaj qytetarëve. Ndërkohë që po hyjmë në tetor, ende nuk kemi analizuar vitin që shkoi. Kjo është e papranueshme”, ka shkruar ai.

Në thelb, Braçe kërkon një rikthim urgjent të aktivitetit parlamentar, duke i kujtuar Kuvendit detyrimin për të analizuar institucionet e llogaridhënies para se të mbyllet edhe ky vit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit