

Tiranë- Pak ditë para sfidës vendimtare ndaj Serbisë, kombëtarja shqiptare ndodhet në një situatë alarmante. Disa nga lojtarët kryesorë janë të dëmtuar ose në dyshim për ndeshjen, duke vënë në vështirësi trajnerin Sylvinho.
Marash Kumbulla është ndalur për shkak të problemeve fizike, ndërsa Juljan Shehu u detyrua të largohej nga fusha pas pjesës së parë në sfidën e fundit me klubin e tij në Poloni. Klubi konfirmoi se mesfushori kishte shqetësime fizike që e bënë të pamundur vazhdimin.
Në Kroaci, edhe Arbër Hoxha, ndonëse shkëlqeu me një gol dhe një asist, u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë, duke rritur pikëpyetjet për praninë e tij në formacionin kuqezi.
Ndërkohë, Ardian Ismajli, që sapo ishte rikthyer nga një dëmtim, u largua sërish nga fusha kundër Parmës, pas dhimbjeve në kofshën e djathtë – e njëjta zonë ku kishte qenë i lënduar më parë.
Në listën e problemeve shtohet edhe Armando Broja, i cili vijon të jetë jashtë forme dhe nuk po gjen hapësira me klubin e tij.
Trajneri Sylvinho duhet të bëjë llogaritë me mungesa të rëndësishme, në një sfidë që do të përcaktojë fatin e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit. Pritet që stafi i kombëtares të japë informacione zyrtare në ditët në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






