

📅 30 Shtator 2025
Sot përfundon zyrtarisht masa e përkohshme e pezullimit të Kuvendit të Kosovës, e vendosur më 5 shtator nga Gjykata Kushtetuese, pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe. Vendimi i përkohshëm pezulloi të gjitha veprimet dhe vendimmarrjet parlamentare, përfshirë procedurat për formimin e qeverisë së re.
Ankesa e Listës Serbe lidhej me mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit, konkretisht me faktin se ky u shpall i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, një veprim që kjo parti e konsideroi si shkelje të dispozitave kushtetuese. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e cilësoi konstituimin si të plotë, duke argumentuar se mungesa e përfaqësuesit serb në kryesi nuk e bënte të pavlefshme procedurën.
Qëndrime të ndryshme, por ende pa qartësi institucionale
Me përfundimin e afatit të pezullimit, vëmendja tani është përqendruar te hapat që do të ndërmarrin institucionet vendore, në mungesë të një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të ndryshojë qëndrim pas datës 30 shtator. Në deklaratat e mëparshme, ai ka theksuar se sipas tij Kuvendi është tashmë i konstituuar.
Nga ana tjetër, Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar më 9 shtator se do të ftojë partinë fituese për caktimin e kandidatit për kryeministër, menjëherë pas skadimit të masës së përkohshme të Kushtetueses.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë kritik ndaj vendimit të Gjykatës, të cilin e ka cilësuar si një ndërhyrje të pajustifikuar që, sipas tij, ka penguar funksionimin e të gjithë Kuvendit për një periudhë 25-ditore.
Vendimi përfundimtar i Kushtetueses mbetet në pritje
Pavarësisht përfundimit të pezullimit, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit ende nuk është bërë publik. Deri në atë moment, mbetet e paqartë nëse institucionet do të vazhdojnë procedurat politike, apo nëse do të detyrohen të rikthehen në një pikë zero.
Në rast se Gjykata vendos se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, atëherë do të kërkohen procedura të reja, të cilat mund të vonojnë më tej formimin e qeverisë së re dhe t’i japin një tjetër kthesë zhvillimeve politike në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






