

Berisha: Edi Rama u kthye nga Aruba me një orë 400 mijë euroshe me diamante e safire! Aruba është dëshmia më flagrante e bashkëpunimit të tij me grupet narkoterroriste
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, vijoi me akuzat e forta ndaj kryeministrit Rama, duke e cilësuar si arkitektin e narkoshtetit shqiptar.
Berisha u shpreh para gazetarëve se takimi i Ramës në Aruba është dëshmia më flagrante e bashkëpunimit me grupe narkoterroriste të shpallura nga SHBA, nga i cili kryeministri u kthye me një orë luksoze 400 mijë euroshe me diamante e safire, simbol i marrëveshjeve të tij me krimin e organizuar.
Lideri opozitar, Sali Berisha tha se raporti i fundit i DASH flet qartë për një narkoekonomi, pa investime të huaja dhe të dominuar nga paratë e drogës.
Berisha rikujtoi se kompani gjigante si “Shell” dhe investitorë të mëdhenj të real estate u larguan nga Shqipëria, pasi tregu u pushtua nga kartelet. “Në vend të shtetit ligjor kemi shtetin e mafies, në vend të ekonomisë së tregut kemi narkoekonominë”, tha Berisha, duke shtuar se kjo situatë ka nxitur emigrimin masiv të shqiptarëve.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi gjithashtu një pjesë të diplomacisë ndërkombëtare se ka mbështetur ngritjen e narkoshtetit, duke përmendur rolin e ish-ambasadorit Donald Lu, George Sorosit dhe heshtjen e BE-së, por u shpreh optimist se kohët kanë ndryshuar.
“Sot përfaqësuesit e SHBA sjellin mesazhe të qarta kundër karteleve të drogës, të cilat po trajtohen si rrezik i barabartë me terrorizmin. Ka ende diplomatë që e mbrojnë narkoshtetin, por dielli me shoshë nuk mbulohet”, shtoi ndër të tjera Berisha.
Duke iu referuar zgjedhjeve në Tiranë, Berisha deklaroi se përpjekjet e Ramës për pazar me Erion Veliajn dështuan, pasi ky i fundit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Lideri demokrat shtoi se opozita ka disa kandidatura të forta dhe të pakrahasueshme me “Korbën e Korrupsionit”.
Në këtë kuadër, Berisha ironizoi kandidimin e Ogerta Manastirliut, duke thënë se tronditja e saj në momentin e shpalljes tregon se Rama “i lau duart me të” dhe e dorëzoi në fatin e Veliajt. Berisha e akuzoi Manastirliun për abuzime me tenderat e pandemisë dhe fshehjen e numrit të viktimave të Covid-19, duke theksuar se ajo është e papranueshme për qytetarët e kryeqytetit.
“Opozita është e përkushtuar për transparencë të plotë dhe ka kandidatë që nuk krahasohen me figurat e korruptuara të Ramës. Narkoshteti shqiptar është një rrezik madhor për qytetarët, rajonin dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, përfundoi kryetari i PD, Sali Berisha. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






