

ITALI – Një lajm i hidhur për Cagliari-n dhe tifozët e tij: Andrea Belotti ka pësuar një dëmtim të rëndë që i mbyll sezonin përpara kohe. Sulmuesi italian u detyrua të braktiste fushën në lot, në fund të pjesës së parë të sfidës së të shtunës mbrëma kundër Interit.
Kontrollet mjekësore të kryera këtë të diel kanë konfirmuar më të keqen. Në komunikatën zyrtare të klubit sard thuhet: “Ekzaminimet instrumentale kanë evidentuar dëmtimin e ligamentit të kryqëzuar anterior të gjurit të majtë. Futbollisti do t’u nënshtrohet ditët në vijim kontrolleve dhe vizitave mjekësore të mëtejshme.”
Praktikisht, për “Gallo-n” ky sezon mund të quhet i mbyllur. Trajneri i Cagliari-t, Fabio Pisacane, e konfirmoi shqetësimin e madh pas ndeshjes: “I fola menjëherë, më tha se ndjeu një ‘krak’.”
Belotti, i transferuar në Cagliari në ditët e fundit të merkatos së verës me kontratë deri në qershor 2026, kishte zhvilluar tri ndeshje në Serie A me fanellën kuqeblu. Momenti i tij më i mirë mbetet ‘dopieta’ kundër Lecce-s, që i dha skuadrës fitoren 2-1 në transfertë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






