

KROACI – Në kuadër të raundit të tetë të elitës kroate në futboll, Dinamo Zagreb po shfaq një performancë të shkëlqyer duke udhëhequr me 2-0 ndaj Slaven Belupos, ku shqiptari Arbër Hoxha ishte ‘ylli’ i pjesës së parë.
Në minutën e 41-të, Dinamo arriti të thyente mbrojtjen kundërshtare. Hoxha mori topin në krahun e majtë, u zhvendos në qendër dhe, pas një kombinimi të shkëlqyer me Ljubicic-in, gjeti pozicionin ideal për të gjuajtur brenda zonës së penalltisë, duke shënuar për 1-0. Sulmuesi shqiptar nuk e festoi golin, pasi përballë kishte ish-klubin e tij, ku kishte luajtur për disa vite.
Vetëm pak minuta më vonë, në kohën shtesë të pjesës së parë, Dinamo shënoi golin e dytë. Kulenovic përfitoi nga një pasim i gabuar i mbrojtësit Crepuljan, ndërsa Hoxha i dha asistin perfekt për golin e dytë, duke vulosur epërsinë 2-0.
Me këtë paraqitje, Arbër Hoxha doli qartë si protagonist i 45 minutave të para, duke regjistruar një gol dhe një asist, dhe duke demonstruar nivel të lartë dhe ndikim të madh në skuadër.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






