

Incident në TKOB gjatë premierës së “Traviata”
Një incident i papritur ndodhi mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, gjatë premierës së operës së famshme “Traviata”.
Sopranoja e njohur Eva Golemi, e cila interpretonte rolin e Violetës, u rrëzua papritur në skenë në momentin dramatik kur personazhi i saj ndërron jetë në duart e Alfredos, të luajtur nga tenori protagonist.
Fillimisht, publiku e mori si pjesë të skenarit, por fakti që tenori nuk reagoi menjëherë dhe rënia dukej e parakohshme, ngriti dyshime për një problem shëndetësor real.
Stafi i TKOB ndërhyri menjëherë dhe thirri urgjencën. Ambulanca mbërriti në vendngjarje dhe i dha ndihmën e parë sopranos, e cila u transportua me urgjencë në spital për kontrolle të detajuara.
Pas ekzaminimeve mjekësore, fatmirësisht u konfirmua se Eva Golemi nuk ka pësuar dëmtime serioze. Megjithatë, mjekët i kanë rekomanduar të qëndrojë 10 ditë në pushim, për të shmangur çdo sforcim të mëtejshëm fizik e vokal.
Për pasojë, sopranoja nuk do të marrë pjesë në netët e ardhshme të shfaqjes “Traviata”. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit pritet të njoftojë së shpejti publikun mbi ndryshimet në kastin artistik dhe vijimin e programit.
Noa.al mori një informacion zyrtar nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe mësoi se gjendja e Evës është e stabilizuar. "Nga informacionet që kemi, sopranoja është pak më mirë", tha në një prononcim për noa.al, Alma Zeneli nga TKOB. Ajo shtoi se sopranoja është aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve.
Noa.al u përpoq të marrë një prononcim edhe nga sopranoja Eva Golemi, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk mori një përgjigje. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






