Transmetuar më 27-09-2025, 18:23

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, mes qindra besimtarëve, u mbajt ceremonia e Fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Hirësia Anastasit.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan.

Në fjalën e tij, Imzot Joan vlerësoi kontributin e Mitropolitit të ri të Korçës:

“Je thirrur të jesh jo vetëm një administrator i aftë, por mbi të gjitha një udhërrëfyes shpirtëror, një ngushëllues dhe dëshmitar i gjallë i pranisë së Krishtit. Je thirrur të jesh një dritë që ndriçon errësirën, një zë që shpall të vërtetën, një dëshmi e gjallë se Krishti është i gjallë. Së bashku do të vazhdojmë traditën e shenjtë që na është besuar. Le të lulëzojë Mitropolia nën drejtimin tënd. Le të bëhet një qendër rrezatimi shpirtëror për gjithë vendin tonë dhe një model për botën ortodokse. Të uroj jetë të gjatë dhe të frytshme në vreshtin e bekuar të Zotit e të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.”

Kryepeshkopi Joan vlerësoi Korçën si qytetin ku shërbeu për shumë vite si Mitropolit, duke e cilësuar kryeqendër kulturore të Shqipërisë, djep të arsimit dhe qëndresës shpirtërore.

“Korça, qyteti që është kryeqendra kulturore e Shqipërisë, djepi i arsimit kombëtar dhe i qëndresës shpirtërore, aty ku lindi Rilindja Kombëtare dhe u hap shkolla e parë shqipe, ka dhënë shumë për kombin tonë dhe është përballur me sfida të mëdha.”

Mitropoliti i Korçës, Anastasi, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e forcimit të besimit tek Jezu Krishti në kushtet kur shoqëria përballet me sfida të vështira:

“Nuk jam këtu për të nisur nga e para, por për të vazhduar një histori që ka rrënjë të thella. Jam këtu për të shkruar një kapitull të ri në librin e gjatë të besimit dhe të dashurisë që kjo Mitropoli e ka gdhendur në gjuhën dhe jetën e popullit tonë.”

Ceremonia u ndoq nga deputetë të Korçës, autoritete vendore dhe drejtues institucionesh.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit