

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e caktuar nga Edi Rama që të prijë dhe mbikëqyrë betejën Socialiste për bashkinë e Tiranës, foli sot për herë të parë mbi kandidimin e Ogerta Manastirliut duke gjykuar se është një lëvizje e guximshme.
Në një deklaratë të bërë publike përmes rrjeteve sociale, Belinda Balluku kujton faktin se me Manastirliun, "prej vitesh kemi ndarë beteja, miqësi, ëndrra dhe plane për fëmijët tanë, biseda të pafundme dhe momente që nuk harrohen…".
Më pas ajo thotë se Manastirliu po "merr një hap të guximshëm për të kandiduar si kryetare e Bashkisë Tiranë, lokomotivës së Shqipërisë", duke theksuar se e sheh këtë gjë me "zemrën plot".
Balluku pretendon se e njeh mirë Manastirliun dhe siguron se në këtë lëvizje të guximshme, do të ketë mbështetje të fortë.
Ogerta Manastirliu doli nga qeveria dhe tani pritet ti japë fund edhe pjesëmarrjes në Parlament pasi është kandidatja zyrtare e PS dhe e vetmja deri sot për bashkinë Tiranë.
Manastirliu kandidon për një mandat me periudhë të mbetur, rreth një vit e gjysmë, pasi zgjedhjet e rregullta priten në pranverën e 2027. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






