

Njëzet vjet pasi zgjodhi të jetojë në Shqipëri, italiani 44 vjeçar Edoardo Sarchi mbeti i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në rrethana të paqarta në Salari të Tepelenës.
Orët e fundit, po kryhen hetime policore dhe aktualisht raportohet se ortaku i të ndjerit bashkë me djalin e vet janë shoqëruar në polici, për të zbuluar më tepër detaje dhe për të hedhur dritë mbi atë çfarë mund të ketë ndodhur.
Ortaku i tij, Eqerem B. dëshmoi se një person hapi zjarr drejt automjetit.
Ndërkohë, ekspertiza mjekoligjore hedh dyshime se viktima ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje të fortë në kokë, që i ka shkaktuar gjakderdhje fatale.
Në polici është shoqëruar edhe Gazment B., djali i ortakut të viktimës në fabrikën e tullave “Tegola Edil Centro”. Sipas hetimeve, Gazmenti ndodhej në vendin e ku ndodhi ngjarja, nga ku më tej ishte larguar.
Shkak i vrasjes paraprakisht dyshohet një mosmarrëveshje mes dy ortakëve, biznesmenit italian Edoardo Sarchi, si edhe shtetasit Eqerem B., gjithashtu i shoqëruar nga policia.
Raportohet se babë e bir, Eqerem dhe Gazment B., jetojnë në Tiranë, ndërsa në fshatin ku ndodhi krimi kishin një banesë të cilën e kishin restauruar dhe shkonin herë pas here për të qëndruar.
Italiani ishte administrator i një fabrike të madhe tullash me qendër në Tiranë, Tegola Edicentro me qendër në Laprakë.
Viktima, nga Varese e Italisë, kishte dalë me 4 persona për gjah në zonën e Salari.
Ai u gjet pa shenja jete në rrugë, te vendi i njohur si Dilan, mes Salarisë dhe Nivicës dhe katër personat që e shoqëronin njoftuan policinë duke raportuar se e gjetën të vdekur. Të katërt janë shoqëruar në polici.
Ka qenë ortaku i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për vrasjen e 44-vjeçarit italian. Në versionin e tij të dhënë për policinë, ka deklaruar se një person i ka dalë para automjetit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Ai është shprehur se ka tentuar t’i japë ndihmën e parë viktimës duke nxjerrë trupin nga automjeti dhe më pas ka njoftuar policinë.
Sipas tij, personi që i ka qëlluar është larguar në drejtim të paditur, dhe për shkak të errësirës s’ka mundur ta identifikojë.
Kjo dyshohet se është arsyeja se pse trupi i pajetë i 44-vjeçarit italian ndodhej jashtë makinës, sipas dëshmisë së dhënë nga Eqerem B.
Çfarë ndodhi në Salari
Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur "Dilan", në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian Edoardo Sachi, 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan në vendin e ngjarjes.
Në trup i është gjetur vetëm një plagë në kofshën e djathtë, dhe dyshohet se ka humbur jetën nga hemoragjia.
Policia po heton dy pista. E para, vrasja nga pakujdesia me armë gjahu dhe e dyta, vrasje me dashje nga njëri prej personave që gjendet i shoqëruar në Policinë e Gjirokastrës.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






