

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një takim pune dhe miqësor në Hagë me Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle. Në këtë takim, palët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes Policisë shqiptare dhe Europolit në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtar.
Vlerësimi i Europolit për Policinë shqiptare
Catherine De Bolle shprehu vlerësim të lartë për angazhimin, profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë së Shtetit gjatë operacioneve të përbashkëta të zhvilluara në kuadër të platformës EMPACT, duke theksuar se Shqipëria është një partner i besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Ajo garantoi se Europoli do të ofrojë mbështetje dhe asistencë edhe më të gjerë për Policinë shqiptare në këtë drejtim.
Angazhimi i Policisë shqiptare
Nga ana e tij, Drejtori Proda siguroi se Policia shqiptare është plotësisht e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të thelluar bashkëpunimin hetimor dhe operacional me partnerët europianë, duke u koordinuar nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Ai falënderoi De Bolle për mbështetjen dhe theksoi se Policia shqiptare tashmë është e aftë profesionalisht dhe e besueshme në çdo operacion ndërkombëtar.
Fokus mbi emigracionin e paligjshëm dhe krimin kibernetik
Gjatë takimit, u diskutua mbi mundësinë që Europoli të marrë rolin drejtues në menaxhimin e operacioneve kundër emigracionit të paligjshëm, një fenomen i shfrytëzuar nga grupet e krimit të organizuar.
Po ashtu, u trajtua çështja e përshtatjes së strukturave të Policisë shqiptare me ato të policive europiane dhe përdorimi i produkteve analitike të Europolit, sidomos në luftën kundër krimit kibernetik.
Ftesë për vizitë në Shqipëri
Në përfundim të takimit, Drejtori Proda ftoi Drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, znj. Catherine De Bolle, për një vizitë zyrtare në Policinë e Shtetit shqiptar. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






