

KOSOVË – Disa dronë, të cilët dyshohen se janë nisur nga Serbia, kanë shkelur hapësirën ajrore në veri të Kosovës. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kjo është një lëvizje e qëllimtë nga Serbia, e cila kërcënon kufirin e Kosovës. Në një deklaratë që ka bërë sot për mediat Hoxha tha se kjo lëvizje nuk e prek sigurinë e qytetarëve.
Ndërkohë që bëri me dije se ka kontaktuar me KFOR-në, theksoi faktin që po bëhen monitorime dhe hetime mbi këtë ngjarje.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR. Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim”,u shpreh Hoxha.
Lajmin që dronët serbë kanë kaluar mbi territorin e Kosovës e dha Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






