

Korçë, 26 shtator 2025 Policia e Korçës ka finalizuar një operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas që qarkullonin me automjet dhe shpërndanin kanabis të ndarë në doza.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve E. P., 30 vjeç, dhe S. M., 25 vjeç, si dhe gjatë kontrollit në automjetin që ata përdornin, u gjetën dhjetëra doza kanabisi, gati për shitje. Në banesën e shtetasit E. P. u gjetën gjithashtu një sasi tjetër kanabisi, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga tregtimi i dozave, si dhe fishekë për armë gjahu.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se shtetasi S. M. kishte kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë:
E. P., 30 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;
S. M., 25 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, Maliq, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Policia njofton se në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






