

Policia e Tiranës ka zbuluar një magazinë në rrugën “Myslym Keta” ku përgatitej drogë për shitje.
Në pranga kanë rënë 5 persona mes tyre, Xhoi Zina, Redion Kuqi, Erdi Gjiriti, Ardit Citaku dhe Angjelina Koçi.
Gjatë kontrolleve të kryera në magazinën në pronësi të babait të Redion Kuqit, Astrit Kuqi me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, blutë gjetën një valixhe me 9 kg kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë.
Sipas hetimeve dyshohet se sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga Xhoi Zina në bashkëpunim me Angjelina Koçin.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Warehouse”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë.
Në rrugën “Myslym Keta”, gjatë kontrollit në magazinën e shtetasit R. K., me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, u gjetën një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë. Nga hetimet dyshohet se sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga shtetasi Xh. Z., në bashkëpunim me shtetasen A. K.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në magazinë u konstatuan shtetasit A. C. dhe E. Gj. Gjatë kontrollit fizik, shtetasi E. Gj. iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z., u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






