Transmetuar më 25-09-2025, 16:19

Durrës, 25 Shtator 2025 – Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme, më datë 24.09.2025, rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit”, ku një automjet goditi rëndë një këmbësor dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Sipas Policisë së Durrësit, shtetasi A. K., alias B. K., 55 vjeç, banues në Durrës, u përplas nga një automjet tip “Mercedes-Benz”, i cili u largua menjëherë pas aksidentit, duke mos ofruar ndihmë për të dëmtuarin.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, në bashkëpunim me Specialistët për Krimet e Rënda, kanë nisur menjëherë hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Nga veprimet e para hetimore, është bërë e mundur identifikimi i drejtuesit të dyshuar të mjetit. Bëhet fjalë për shtetasin A. B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, i cili është shpallur në kërkim së bashku me automjetin që dyshohet se përdori për të goditur qëllimisht 55-vjeçarin.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja po hetohet si tentativë për vrasje me dashje, ndërsa vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e 40-vjeçarit, si dhe për gjetjen e automjetit.

Ndërkohë, i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia e Durrësit bën thirrje për bashkëpunim me qytetarët që mund të kenë informacion mbi vendndodhjen e të kërkuarit ose të automjetit të përdorur në këtë ngjarje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit