Transmetuar më 25-09-2025, 13:24

Tiranë- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me të ashtuquajturën "Dosja Aruba", duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e tij për bashkëpunim me organizata narkoterroriste të Amerikës Latine.

“Edi Rama dhe ministrat e tij janë të vetmit në Europë që kanë bashkëpunim me organizata narkoterroriste. Janë si Maduro i Venezuelës. Për shqiptarët, kjo është një mynxyrë.”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, ekziston një marrëveshje e fshehtë që përfshin qeverinë shqiptare dhe grupe kriminale, e cila duhet hetuar ndërkombëtarisht. Ai deklaroi se udhëtimi i Ramës në Aruba nuk është mohuar kurrë dhe lidhet direkt me këto akuza.

“I kam bërë pyetje në parlament për udhëtimin e tij në Aruba dhe nuk e ka mohuar asnjëherë. Do ta dërgojmë dosjen në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendet partnere.”

Berisha paralajmëroi se PD do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe diplomatike për ta çuar këtë çështje në nivel ndërkombëtar.

Ai akuzoi qeverinë se po kthen zgjedhjet në një farsë dhe po shkatërron ekonominë shqiptare përmes korrupsionit, pastrimit të parave dhe fuqizimit të krimit të organizuar.

“Edi Rama është një rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe për botën. Çdo orë që ai qëndron në pushtet, është një kërcënim i vazhdueshëm.”, përfundoi Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit