

Sarandë, 25 Shtator 2025 – Një 33-vjeçar është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka privuar nga liria një të ri 19-vjeçar, duke e mbajtur me forcë në automjet për disa minuta, pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur më datë 24 Shtator 2025, rreth orës 13:30, në fshatin Metoq, ku shtetasi Geraldo Obzova, 33 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, dyshohet se ka futur në automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, kundër vullnetit, shtetasin F. M., 19 vjeç, pas një debati verbal mes tyre. I riu është mbajtur për një kohë të shkurtër në automjet dhe më pas është lënë i lirë.
Fillimisht, 19-vjeçari nuk ka pranuar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se ishte marrë me forcë, por hetimet e thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë të mundur dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Geraldo Obzova, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






