

Bulqizë, 25 Shtator 2025 – Pas aksidentit tragjik të ndodhur një ditë më parë në një subjekt minerar në zonën D të Bulqizës, ku humbi jetën punëtori Kujtim Dangri, 38 vjeç, Policia ka ndërmarrë masa ligjore ndaj tre punonjësve të stafit teknik të subjektit.
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, e cila dyshohet se ndodhi si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor në galeri, Policia e Bulqizës ka vënë në pranga:
G. K., 47 vjeç, me detyrë brigadier;
B. C., 62 vjeç, me detyrë teknik; të dy banues në Bulqizë.
Ndërkohë, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe R. P., 67 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtues teknik i subjektit minerar.
Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për garantimin e kushteve teknike dhe të sigurisë në punë, duke sjellë si pasojë humbjen e jetës së një punonjësi.
Ngjarja ka ngritur shqetësime lidhur me zbatimin e rregullave të sigurisë në subjektet minerare, ku incidentet me pasoja fatale janë raportuar në mënyrë të përsëritur ndër vite.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", me pasojë vdekjen.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






