Transmetuar më 25-09-2025, 09:01

Tiranë- Shkarkimi i Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës pritet të finalizohet sot nga Këshilli i Ministrave, i cili do të mblidhet në orën 12:00.

Mbledhja vjen një ditë pasi Prefekti i Tiranës i njoftoi zyrtarisht për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak. Sipas ligjit, është qeveria që merr vendimin përfundimtar në këtë proces.

Pasditen e së martës, Këshilli Bashkiak bashkoi në një të vetme kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Veliajt me atë të PD-së dhe Endri Shabanit, duke e miratuar me 50 vota pro.

Veliaj e ka kundërshtuar procedurën e ndjekur, duke lënë të kuptohet se mund të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 i Kushtetutës parashikon se, nëse bëhet ankim brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Ky akt do të bllokonte zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama po ecën me logjikën e faktit të kryer. Një ditë më parë, në një takim me ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës, përkrah kandidates për kryebashkiake Ogerta Manastirliu, Rama e konsideroi vendimin për shkarkimin e Veliajt si të detyrueshëm.

Kryeministri u shpreh se Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si “trup pa kokë” dhe qytetarët nuk mund të bashkëjetojnë me një “bashki kokëkëputur”, duke shtuar se opozita do të hyjë e humbur në garën për kryeqytetin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit