Transmetuar më 25-09-2025, 08:27

Prishtinë, 25 Shtator 2025 – Pjesëmarrja e grave në tregun e punës në Kosovë mbetet shqetësuese, duke u kufizuar në vetëm 25 për qind, një ndër nivelet më të ulëta në Evropë dhe botë. Ky realitet i ka kushtuar vendit miliarda euro humbje ekonomike, sipas një raporti të prezantuar nga Instituti Riinvest, gjatë një tryeze me temën “Zhbllokimi i potencialit: Kostoja ekonomike e potencialit të pashfrytëzuar të grave”.

Barriera strukturore dhe kosto të larta për ekonominë

Në raportin e prezantuar u theksua se pengesat kryesore që kufizojnë përfshirjen e grave në tregun e punës janë normat gjinore dhe stereotipet, përgjegjësitë për kujdes familjar, mangësitë në legjislacionin e punës, nën-përfaqësimi në vendimmarrje dhe mospërputhja ndërmjet aftësive dhe tregut të punës.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, theksoi se pabarazitë gjinore në punësim janë ndër sfidat më të mëdha strukturore për Kosovën.

“Gratë vazhdojnë të përballen me barriera sistematike që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në ekonomi. Mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të rrisë PBB për kokë banori me 19–21%, ndërsa vetëm përmirësimi i pjesëmarrjes në fuqinë punëtore do të rriste PBB-në për kokë banori me rreth 6%.”

Hashani shtoi se këto përllogaritje janë bërë përmes një metodologjie të krahasueshme ndërkombëtarisht, duke treguar qartë ndikimin e drejtpërdrejtë të përjashtimit të grave nga tregu i punës në zhvillimin ekonomik.

OKB: Pabarazia gjinore ndikon në të gjithë strukturën e zhvillimit

Koordinatori i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephan O’Malley, e konsideroi këtë situatë një pengesë të madhe për përmbushjen e Agjendës 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, por nëse gratë dhe vajzat mbeten të përjashtuara, ky avantazh shndërrohet në një humbje. Barazia gjinore është thelbësore jo vetëm për të drejtat e njeriut, por edhe për rritjen ekonomike dhe kohezionin social.”

UNFPA: Problematikë ekonomike me urgjencë të lartë

Visare Mujku, Shefe e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, e përshkroi këtë situatë si një emergjencë ekonomike.

“Ky nuk është thjesht një problem social – është një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të rrisë PBB për frymë deri në 21.1%. Kjo është një mundësi konkrete për mirëqenie dhe zhvillim, që kërkon veprim të bashkërenduar dhe të menjëhershëm nga të gjitha nivelet e shoqërisë.”

Kosova ndër vendet me pjesëmarrjen më të ulët të grave në punë

Erisa Kallaba-Krasniqi, hulumtuese në Institutin Riinvest, theksoi se Kosova zë vendin e parë në Evropë dhe të pestin në botë për pjesëmarrje të ulët të grave në tregun e punës.

“Edhe pse gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, vetëm një në katër gra është e përfshirë në tregun e punës. Kjo përbën një mospërputhje të thellë ndërmjet potencialit demografik dhe realitetit ekonomik.”

Ajo listoi faktorët kryesorë që pengojnë përfshirjen e grave, duke përfshirë normat kulturore, kujdesin për familjen, legjislacionin e pamjaftueshëm dhe mungesën e përfaqësimit në pozita të larta vendimmarrëse.

Rekomandime për veprim

Raporti bën thirrje për një qasja gjithëpërfshirëse, që përfshin:

Reformim të legjislacionit të punës me ndjeshmëri gjinore

Mbështetje për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve

Fuqizim të gruas në arsim dhe formim profesional

Rritje të përfaqësimit në vendimmarrje publike dhe private

Ndërgjegjësim dhe thyerje të stereotipeve gjinore në shoqëri

Zhbllokimi i potencialit të grave në tregun e punës, sipas Institutit Riinvest dhe partnerëve ndërkombëtarë, nuk është vetëm një çështje barazie, por një domosdoshmëri ekonomike që mund të përshpejtojë zhvillimin dhe përmirësojë mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit